Gjinushi me përfaqësues të Bundestagut Gjerman – (13 Tetor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Mbështetja e reformës ekonomike të Qeverisë mbetet prioriteti i Kuvendit Shqiptar. Kështu ka deklaruar sot Kryeparlamentari Gjinushi në takimin me përfaqesuesit e komisionit për bashkepunim ekonomik të Bundestagut Gjerman. Kështu miratimi i disa ligjeve të rëndësishme, vijoi Gjinushi, si ato për strategjinë e privatizimit, për sistemin bankar, për Bankën e Shqipërisë etj, si dhe prezenca e NATO-s në Rajon, kanë krijuar hapësirat e duhura për rritjen e gjithanshme të investimeve dhe për shpejtimin e reformave.
Duke u ndalur tek Pakti i Stabilitetit Gjinushi tha se Gjermania si iniciatore e këtij Pakti me siguri do të luajë rolin e saj në konkretizimin e shpejt të saj, veçanërisht në aspektet ekonomike. Përfaqesuesit e delegacionit të Bundestagut kanë siguruar për mbështetjen jo vetëm të Bundestagut por edhe të gjithë parlamenteve europiane./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego