Gjinushi miting në Vlorë, prezantohet kandidati Vladimir Fejzo – (10 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
“E majta për ju, të gjithë së bashku për Vlorën”. Nën këtë thirrje, socialdemokratët kanë prezantuar kandidatin e tyre për kryetar të bashkisë së qytetit bregdetar Vladimir Fejzon. “Shteti bëhet nëse funksionon bashkia”, deklaroi Fejzo, përpara anëtarëve dhe simpatizantëve socialdemokrat, në mitingun elektoral, organizuar në pallatin e sportit të qytetit të Vlorës.
Rregullimi i rrugëve, zgjidhja e problemeve sociale dhe të urbanistikës, ishin në qendër të programit elektoral të kandidatit Vladimir Fejzo. Kandidatura e Fejzos është mbështetur nga kryetari i PSD Gjinushi, i cili deklaroi se koalicioni i majtë, nuk ka abuzuar në këto tre vjet qeverisje me votën e vlonjatëve.
Skënder Gjinushi, Kryetar i PSD:- “Ne nuk kemi abuzuar me votën tuaj, ka qenë mbështetja e fortë ajo që bëri që 97 Shqipëria t’i hynte një ndryshimi të madh, të përfaqësuar nga Berisha. Tani pas tre vjetësh ne themi me bindje se Shqipëria ka hyrë në periudhën e demokracisë. Ajo ka Kushtetutën e saj, e cila ka gjithë votëbesimin e Vlorës dhe Shqipërisë”.
Kandidatura e Vladimir Fejzos e mbështetur nga Partia Social Demokrate është në rivalitet të fortë me kandidatin e socialistëve për Vlorën Niko Veizi. Sfida për Vlorën mes aleatëve të majtë, ishte pengesa kryesore, për mosarritjen e një marrëveshje paraelektorale PS-PSD./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame