Gjirokastër – Kakavijë/ Aksident tragjik, tre të vdekur e 7 të plagosur
Këto janë pasojat e aksidentit tragjik që ndodhi gjatë mesditës në aksin Gjirokastër-Kakavijë, ku tre persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë mbetën të plagosur.
Aksidenti ndodhi pranë fshatit Mashkullorë, kur një furgon pasagjerësh që po kthehej nga Saranda u përplas kokë më kokë me një makinë tip Nisan me targa zvicerane, ku udhëtonin shtetas nga Kosova që po i drejtoheshin jugut të Shqipërisë për të kaluar pushimet. Për pasojë humbën jetën tre persona, dy fëmijë të mitur dhe efektivja e policisë së shtetit Albana Hasani. Punonjësja e policisë Albana Hasani dhe foshnja e saj 9 muajshe ndodheshin në furgonin e pasagjerëve, ndërsa fëmija tjetër i mitur ndërroi jetë në spitalin rajonal të Gjirokastrës, udhëtonte në mjetin Nissan me targa zvicerane. Të plagosur janë edhe 7 persona të tjerë, 3 prej të cilëve u transportuan me helikopterë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet. Tre të plagosurit, mes tyre dy fëmijë sipas mjekëve janë në gjendje kritike për jetën. Drejt kryeqytetit janë transportuar edhe të plagosurit e tjerë, që janë me fraktura dhe dëmtime të tjera. Shkaqet e sakta të aksidentit mbeten ende të paqarta, por dyshohet se dy mjetet kanë qenë me shpejtësi të lartë. Tv Klan