Gjirokastër, zbulohet bunkeri me armë dhe municione – (28 Prill 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ky është bunkeri në kodrat e viroit në Gjirokstër, ku policia dje zbuloi një arsenal armësh dhe municionesh. Ka qenë shpërthimi i një granate në periferi të Gjirokastrës nga një i ri, që ka alarmuar policët gjirokastritë, të cilët pas arrestimit të autorit të shpërthimit 17 vjeçar Anesti Zani, kanë mësuar mbi bazën e fshehtë të municionit, i fshehur në këtë bunker në vreshtat e Viroit.
Pikërisht në këtë bunker e kishte marrë granatën 17 vjeçari Anesti Zani, që e shpërtheu atë pa të keq, në lagjen Granicë ku ai banon. Pas zbulimit brenda në bunker të armëve, policët gjirokastritë janë përballur me tritol e granata të cilat i kanë marrë me vete në komisariatin e Gjirokastrës. I gjithë municioni i sekuestruar ndodhet në gjendje perfekte.
Sipas krerëve të policisë së Gjirokastrës, armatimi ishte fshehur në bunker që prej shpërthimeve në repartet ushtarake në Mars të 1997 dhe ka qenë fat që nuk kanë shpërthyer në këto vite, pasi rrezja e dëmtimit do të kishte shkatërruar gjithë fshatin Viro. Ndërkohë djaloshit 17 vjeçar, i cili u bë dhe shkaktari i gjetjes së municionit nga policia, sot iu dha masa e sigurisë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj