Gjithçka gati për takimin Kosovë – Kroaci, policia masa për sigurinë
Teksa kanë mbetur fare pak orë nga takimi Kosovë – Kroaci, që do të luhet në stadiumin e Shkodrës “Loro Boriçi”, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për zhvillimin normal të kësaj ndeshje.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia shprehet se për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti janë angazhuar plot 1200 forca policore, duke filluar me RENEA, FNSH – të e Policinë Vendore të Shkodrës.
Në gadishmëri është gjithashtu një helikopter i Policisë për monitorimin nga ajri.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato zhvilloi një takim me përfaqësuesin e UEFA –s për sigurinë.
Policia njofton gjithashtu se është bërë kontroll në ambientet e stadiumit me qen antieksploziv, janë marrë masa për të shoqëruar skuadrat, si dhe tifozëritë përkatëse.
Deri tani, thekson policia, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës në Kukës kanë hyrë në drejtim të Shkodrës, 15.600 persona, 77 autobusë dhe 2538 vetura, të gjithë nga Kosova.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të; sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht.
Takimi Kosovë – Kroaci, i vlefshëm për Kampionatin Botëror 2018, do të nisë në orën 20:45./tvklan.al