Gjobat ndaj shoferëve, Rama-policisë: Më ra goja duke ju thënë…
Një reformë e re në Policinë e Shtetit, synon t’i japë fund vendosjes së gjobave në letër, por duke kaluar në epokën digjitale.
Në aktivitetin e Policisë së Shtetit ditën e sotme ku u prezantuan 134 mjete të reja policore, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të avancohet me reformën në shërbimin e gjobave. Sipas tij, është e papranueshme që gjobat ndaj qytetarëve të vendosen ende në blloqe letrash, kur në fakt këtë duhet ta bëjë një sistem i ri teknologjie.
Kjo, tha Kryeministri, do të shmangë korrupsionin sikurse ndodh në komisionet e marrjes së patentave në rast të shkeljeve administrative. Heqja nga përdorimi e gjobave në letër, kreu i Qeverisë theksoi se do të bëhet përmes monitorimit të rrugëve nga kamerat, të cilat do të mund të përcaktojnë dhe regjistrojnë shkeljet rrugore që bëhen nga automjetet.
“Përveç makinave të reja, të kemi monitorimin e rrugëve, kamerat në të gjithë akset kryesore dhe të kemi rezultat me një reformë që më ra goja, reformën e shërbimit lidhur me gjobat. Nuk mund të vazhdojë më Policia e Shtetit me letra bakalli, duke marrë shënim me biografinë kur vë gjobë. Duhet të kalojmë me sistemin e teknologjisë. Jo policë që rrinë të fshehur rrugëve. Është koha për të kapërcyer në një epokë tjetër. Tani kjo punë duhet finalizuar. Duhet të marrë fund koha e patentave që ju merret qytetarëve. Teknologjia na e mundëson plotësisht këtë gjë”,
tha Kryeministri.
Rama foli edhe për tenderat e uniformave të punonjësve të Policisë së Shtetit, për të cilat tha se do të aplikohet një tjetër model, sikurse ndodh në vendet e Bashkimit Europian. Çdo punonjës policie do të ketë kartën e fondit personal dhe ky shërbim do të jetë i personalizuar.
“
Kemi diskutuar me ministrin për tenderin e uniformave që dështojnë, rihapen, dështojnë dhe nuk garantojnë vijimësinë. Na duhet thjesht të imitojmë ata që e bëjnë më mirë këtë punë, vendet e zhvilluara ku nuk ka tendera uniformash ku ka shërbim të personalizuar për çdo efektiv dhe ku kompani të licencuara përgjigjen çdo ditë për çdo efektiv policie që ka nevojë të ndryshojë diçka në uniformën e vet dhe të marrë diçka të re. Çdo efektiv ka kartën e fondit personal për uniformën dhe për të gjitha pajimet dhe ka adresat e të gjithë pikave të shërbimit ku shkon dhe kështu është secili që kujdeset për uniformën e vet”
, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
/tvklan.al