Gjobat, policia e detyruar të lajmërojë drejtuesit
Metoda e përdorur nga Policia Rrugore për vënien e gjobave është kthyer prej kohësh një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve.
Mosfunksionimi i sinjalistikës, por edhe mosinformimi i qytetarëve mbi Kodin Rrugor i shqetëson ata lidhur me veprimtarinë e rrugorëve në vënien e gjobave.
Por cili është ligji që rregullon vënien e gjobave dhe lajmërimin e drejtuesve të automjeteve kur ka shkelje të qarkullimit ose kur lajmërimi i personave nuk është i mundur në momente të caktuara të shkeljeve?
NENI 199 – NJOFTIMI I SHKELJEVE
1. Kur nuk mund të përcaktohet menjëherë autori i shkeljes, procesverbali me të dhënat e sakta dhe të detajuara të shkeljes dhe me tregimin e motiveve që kanë bërë të pamundur përcaktimin e menjëhershëm, duhet brenda 30 ditëve nga verifikimi i shkeljes, t’i njoftohet shkelësit përkatës. Për banuesit jashtë vendit njoftimi duhet të kryhet brenda 360 ditëve nga verifikimi i shkeljes.
2. Shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit i ngarkohen personit që është i detyruar të paguajë gjobën administrative.
3. Subjekti, njoftimi i të cilit nuk kryhet brenda periudhës kohore të përcaktuar, nuk është më i detyruar të paguajë gjobën administrative.
Sipas drejtuesve të Policisë Rrugore nuk ka raste abuzimi në vënien e gjobave personave të caktuar, pasi verifikimi bëhet nëpërmjet metodave të kompjuterizuara, të cilat zbardhin të dhënat e çdo qytetari nëpërmjet targave.
Tv Klan