Gjonaj-Presidentit Meta: Do të përgjigjem ligjërisht, dorëheqjen time nuk e ke në dorë
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar pas deklaratës së Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi dorëheqjen e saj nga detyra dhe bëri me dije se do të bëjë ndaj saj kallëzim penal në SPAK ditën e hënë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministrja Gjonaj ka refuzuar dorëheqjen është shprehur e gatshme të përballet me drejtësinë.
“E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallëzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre! Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër”, thotë ministrja Etilda Gjonaj. /tvklan.al