Gjykata e Krimeve të Rënda pritet të rivlerësojë masën për Orest Sotën
Orest Sota pritet të dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësim të masës së sigurisë, arrest me burg. Dosja e tij ka kaluar nga Prokuroria e Elbasanit tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndaj rivlerësimi i masës së sigurisë së dhënë në 4 Nëntor nga Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan duhet të bëhet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Prokuroria mësohet se ka kërkuar arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 Nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë Euro dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Organi i akuzës kërkon të cilësohet i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, ka dyshime se Sota nuk justifikon me burime të ligjshme paratë që iu gjeten në makinë dhe ato dyshohet të jenë produkt i aktivitetit kriminal./abcnews.al