Gjykata e Lartë: Arben Frroku të dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Dritan Lamajt
Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e avokatëve të Arben Frrokut, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm ndaj tij.
Avokati i të pandehurit kishte kërkuar rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe të shpallte pafajësi.
Arben Frroku akuzohet për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013.
Më 29 qershor 2015 Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë duke dënuar me burgim të përjetshëm Arben Frrokun për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Në prill të të njëjtit vit, 5 gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda i dhanë pafajësi Arben Frrokut duke e cilësuar dëshminë e të mbrojturit të drejtësisë si të manipuluar.
Në qershor të vitit 2015, dy ditë para vendimit të Apelit, Arben Frroku u arratis nëpërmjet Malit të Zi. Ai fillimisht u ndalua nga policia malazeze në kufi me Kroacinë për arsye verifikimi dhe më pas është lënë i lirë.
Deri më 6 mars të vitit 2016, Frroku qëndroi i fshehur në Holandë, vend në të cilin u arrestua me një pasaportë greke të falsifikuar me identitetin e Renato Tsepa.
Fillimisht ai u ndalua për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa pas verifikimeve rezultoi se ai ishte Arben Frroku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj./
tvklan.al