Gjykata e Lartë, kryetari Thimio Kondi – (7 Qershor 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni janë sot problemet më shqetesuese te Gjyqsorit Shqiptar. Është shprehur kështu Presidenti Mejdani në prezantimin e kreut të ri të Kasacionit, Kondi përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ndërkohë shkarkimi i Avni Shehut nga posti i Kryetarit të Gjykatës së Lartë është cilësuar antikushtetues. Për këtë problem Kondi dhe një nga anëtarët e KLD shprehen.
Thimio Kondi, kryetar i Gjykatës së Lartë:- “Nuk e di pyesni të tjerët. Une u kam thënë që nuk do japim më intervista. Gjithçka do ta japim nëpërmjet vendimeve që do të marrim”.
Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë:- “Kjo punë është gjykuar dhe është konsideruar që nuk është antikushtetuese. Fakti është që kemi të bëjmë me një dekret. Ato nëqoftëse kanë ndonjë gjë … Për mua si jurist unë s’e gjykoj fare që është antikushtetuese”.
Presidenti i cili akuzohet në këtë rast për shkeljen e Kushtetutës nëpërmjet zëdhënësit të tij, shprehet se kjo çështje është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa sekretari demokrat Minarolli këmbëngul për të kundërtën.
Vili Minarolli:- “Është në vazhdën e vënies së drejtësisë nën tutelën e ekzekutivit dhe të pushtetit politik shqiptar. Është një veprim antikushtetutes sepse i cënohet mandati 7-vjeçar. Avni Shehu ka filluar detyrën si Kryetar i Gjykatës së Lartë ose Gjykatës së Kasacionit në vitin 1995. Pra është një veprim antikushtetues sepse është cënuar mandati i tij i përcaktuar në ligj”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego