Gjykata e Tiranës, masa e arrestit për Adem Hadërgjonaj – (21 Shkurt 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Është vendosur sot në Gjykatën e Faktit në Tiranë, masa e arrestit për Adem Hadërgjonaj, vëllai i Mentor Hadërgjonaj, pronar i disko Albanias, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Përgjithshme dy ditë më parë, së bashku me ish-shefin e komisariatit të Vlorës Sokol Koçiu, si të implikuar në organizatën kriminale të trafikut të drogës. 30 ditë burg, ka vendosur gjyqtarja Rezarta Balliu në prani të prokurorit të çështjes, Julian Papa.
Adem Hadërgjonaj është ndaluar dy ditë më parë nga policia në banesën e vëllait të tij në kryeqytet, pasi iu gjet një armë gjuetie dhe një pasaportë shqiptare në emër të tij vulosur në komisariatin e Vlorës dy vjet më parë. Për të gjitha këto prova, gjyqtarja ka kërkuar verifikimin e plotë si të armës, për të cilën mendohet të jetë regjistruar në emër të Sokol Koçiut, ashtu dhe për regjistrimin e pasaportës.
Ndërkohë ish-shoferi i Sokol Koçiut, Elton Kumi është liruar dje, pasi nuk ka pasur prova për implikimin e tij në organizatën e trafikut të drogës. Ndërsa vetë ish-oficeri i policisë së Vlorës Sokol Koçiu, akuzohet zyrtarisht, për bashkëpunim me kapot e trafikut të drogës, për të cilat Prokuroria e Përgjithshme ka siguruar provat e duhura. Dy javë më parë ishin hetuesit e anti-mafies italiane dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që bënë të mundur shkatërrimin e kësaj organizate, me arrestimin e Frederik Durdës dhe Arben Pëballës./tvklan.al