Gjykata e Tiranës merr në shqyrtim dosjen e Adi Shamkut – (6 Mars 2002)
Lajme Arkiva – TV Klan 2002
Dosja e ish-drejtorit të përgjithshëm të rrugëve Adi Shamku është gati për shqyrtim nga Gjykata e Tiranës. Burimet zyrtare të kësaj të fundit, konfirmuan se sot paradite u caktua me short Fehmi Petku, si kryetar i trupit gjykues, që do të drejtojë procesin.
Adi Shamku, i pezulluar dje me urdhër të Ministrit të Transporteve, do të paraqitet në bankën e të akuzuarve pas disa ditësh thanë burimet. Ish-drejtori i përgjithshëm i rrugëve akuzohet, për falsifikim dokumentesh, akuzë që nëse provohet nga gjykata i rrezikon atij deri në 7 vjet heqje lirie.
Kjo është dosja e dytë ndaj një zyrtari të administratës shtetërore që mbërrin për gjykim pas asaj të ish-drejtorit të burgjeve Shkëlqim Meta, i akuzuar për shpërdorim detyre.
Po sot u konfirmua nga Gjykata e Tiranës, caktimi i gjykatësit Arben Kostandini, për shqyrtimin e çështjes ndaj të pandehurit Gëzim Çela. Ai akuzohet për trafik prostitucioni dhe aktualisht gjendet në qeli. Çela, i cili dyshohet ta ketë kryer një pjesë të aktivitetit të tij në Itali, u arrestua në Shqipëri me këtë akuzë. Ai rrezikon minimalisht deri në 10 vjet heqje lirie./tvklan.al