Gjykata Kushtetuese dhe vendimi për dënimin me vdekje (11 Nëntor 1999)


Gjykata Kushtetuese dhe vendimi për dënimin me vdekje (11 Nëntor 1999)

11:25 11/11/1999

Gjykata Kushtetuese shtyu sot vendimin mbi dënimin me vdekje. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese është mbledhur sot për të shqyrtuar dhe vendosur mbi tre dënime me vdekje që kishte lënë në fuqi Gjykata e Sjkallës së parë dhe ajo e Apelit. Përfaqësuesi i Gjykatës së Lartë tha sot para Kolegjit të Kushtetueses, se Kasacioni vendosi për të sjellë për vendim dosjen e tre dënimeve me vdekje Gjykatës Kushtetuese.

Në kushtet aktuale ku Komuniteti Europian i bën thirrje Shqipërisë të heqë dënimin me vdekje ku dhe vetë Kushtetuta e re nuk e përfshin brenda saj këtë dënim, por që ekziston ende në kodin tonë penal. Gjykata e Lartë ia lë Gjykatës Kushtetuese në kompetencë të vendosë nëse duhet zbatuar dënimi me vdekje për tre personat që kanë kryer vrasje në qytetin Jugor por që do të vendoset dhe dënimi me vdekje në përgjithësi në procedurën tonë penale.

Të interesuar rreth kësaj çeshtje sa të përfolur aq dhe të rëndësishme sot ishin dhe përfaqësuesit e Presidencës dhe institucioneve të tjera shtetërore që shprehin gadishmërinë e tyre për të respektuar vendimin e marrë nga kolegji i Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu tha se vendimi rreth zbatimit apo jo të dënimit me vdekje për tre personat nga Jugu dhe për personat e tjerë të dënuar me vdekje në Shqipëri do të merret një ditë tjetër pas shqyrtimit të fakteve nga anëtarët e Kolegjit./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj






Të ngjashme