Gjykata Kushtetuese, funksionale


Gjykata Kushtetuese, funksionale

19:51 23/12/2020

Emërohet Kalo, së shpejti edhe Sonila Bejtja

Pas gati 3 vitesh mungesë për shkak të Vetting-ut, Gjykata Kushtetuese është bërë funksionale për të marrë në shqyrtim dhe gjykuar çdo çështje kushtetuese. Vetëm pak orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bëri pikëzimin e kandidatëve, Presidenti I Republikës, Ilir meta nuk vonoi dhe dekretoi emërimin e Përparim Kalos si anëtarin e gjashtë të kësaj gjykate, duke mundësuar kështu arritjen e kuorumit të nevojshëm prej 6 anëtarësh për funksionalitetin e saj. Në garë ishte edhe emri i Aleksandër Tomës, por kreu i shtetit preferoi të respektojë renditjen që kishte bërë KED, e cila kishte vlerësuar me më shumë pikë kandidaturën e Kalos.

Presidenti Meta, pasi u njoh dhe vlerësoi praktikën dokumentare të vendimmarrjes, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve të miratuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; si dhe duke vlerësuar njëkohësisht nevojën jetike që ka vendi për plotësimin dhe funksionimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur që zoti Përparim Kalo emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”, sqaron Presidenca.

Emërimi i Kalos vjen vetëm pak ditë pasi edhe Kuvendi zgjodhi Altin Binajn si përfaqësuesin e tij në këtë gjykatë. Tashmë Presidenti ka të drejtën që të bëj edhe një tjetër emërim në këtë gjykatë, për të plotësuar vendin vaçant të mbetur nga largimi i Besnik Muçit, i cili nuk kaloi dot Vetting-un.

Në garë për këtë vend vakant mbetet vetëm emri i Sonila Bejtjas, e cila është kualifikuar nga Këshilli i Emërimeve në drejtësi. Kandidatja tjetër për këtë vakancë, Zhaklina Peto është tërhequr nga konkurrimi, siç njoftoi zyrtarisht KED.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 6 anëtarë, Vitore Tushën, së cilës i ka mbaruar mandati, Elsa Toskën, Marsida Xhaferllarin, Fiona Papajorgji, Altin Binajn dhe Perparim Kalo.

Pas këtij dekretit të presidentit  ka reaguar menjëherë ambasadorja amerikane në Tiranë që e quan një lajm të madh. Kim thotë se Shqipëria do ta përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Sipas Kim, në këtë mënyrë Shqipëria tani plotëson 1 nga 2 kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Tv Klan






Të ngjashme