Gjykata Kushtetuese shfuqizon si antikushtetues nenin 62 të ligjit për mediat audiovizive
Sot, Gjykata Kushtetuese ka votuar “pro” kërkesës së Shoqatës së Mediave Elektronike të Shqipërisë për shfuqizimin si të papajtueshëm me kushtetutën të paragrafit 3 të nenit 62 të ligjit për mediat. Ky nen kufizonte pronësinë në televizione kombëtare deri në 40 perqind, duke shkaktuar vështirësi në ushtrimin e aktivitetit ekonomik të këtyre shoqërive tregtare.
Ky kufizim bie ndesh me kushtetutën e Shqipërisë dhe Lirinë ekonomike të parashikuar në të. Gjithashtu, ky kufizim absurd i ligjit shqiptar nuk ekzistonte as në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe as në shtetet e Europës si Anglia, Gjermania, Italia, Greqia, Spanja, Belgjika, Hollanda dhe në asnjë vend tjetër të Ballkanit përfshirë dhe Kosovën, e cila ka legjislacionin me të ri në Europë dhe që është përgatitur nga europianët.
Pak muaj më parë parlamenti mori iniciativë ta shfuqizojë këtë nen, por ai u bllokua nga Kryetari i Komisionit të medias, Genc Pollo.
Pas këtij bllokimi, Kryetari i Shoqatës së Mediave Elektronike të Shqipërisë, zoti Aleksandër Frangaj, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shpallje si antikushtetues të këtij kufizimi.
Edhe në Gjykatën Kushtetuese përpjekjet e Pollos nuk pushuan, së bashku me 2 anëtarë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke dërguar letra me qëllim mospranimin e kërkesës së shoqatës se mediave, por atë që Genc Pollo e arriti në Kuvend nuk ka mundur ta arrije në gjykatë.
I pyetur pas këtij vendimi, Kryetari i Shoqatës, Aleksandër Frangaj tha: “Nga sot, me këtë ndryshim që bëri Gjykata Kushtetuese, Ligji për Median në Shqipëri, sa i përket pronësisë, është identik me ligjet e mediave në shtetet më të mëdha dhe me demokratike në botë. Gjykata Kushtetuese doli mbi inatet dhe qëndrimet e vogla të një njeriu te vogël si Genc Pollo.
Tv Klan