Gjykata lë në burg Klajdi Shundin, vrau kunatin


Gjykata lë në burg Klajdi Shundin, vrau kunatin

17:40 03/01/2021

Autorin e telefonoi mbesa për një zënkë mes prindërve

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg pa afat Klajdi Shundin, i cili në ditën e parë të vitit 2021, vrau kunatin e tij Vladimir Zvezhdën.

Dy kunetërit ishin mbledhur bashkë për të kaluar natën e ndërrimit të viteve dhe për të inauguruar banesën e re të Klajdi Shundit. Kur gjithçka po shkonte shumë mirë, 42-vjeçari Vladimir Zvezhda është larguar shtëpia me bashkëshorten e tij dhe dy vajzat.

Sipas dosjes së prokurorisë, ishte mbesa e Klajdi Shundit, e cila ka telefonuar dajën pasi mami dhe babi i saj po ziheshin sërish te shkallët.

Në këtë moment 31-vjeçari ka dalë me një thikë në dorë dhe e ka qëlluar tek shkallët Vladmir Zvezhdën, i cili gjeti vdekjen në spital.

Nga hetimet ka rezultuar se Klajdi Shundi bashkë me kunatin kishin konsumuar sasi të madhe alkooli.

Edhe në dëshminë e tij autori thotë se nuk e mban mend se çfarë ka ndodhur.

“Jam i penduar nga ajo se çfarë ka ndodhur, por unë nuk mbaj mend asgjë. Kemi pirë alkool atë natë, por nuk e di se si e qëllova dhe pse, nuk më kujtohet”.

Sipas Prokurorisë, dy kunetërit nuk kishin konflikte, por problemet duket se ishin vetëm zënkat e shpeshta mes Vladimir Zvezhdës dhe motrës së 31-vjeçarit.

Klajdi Shundi akuzohet për vrasje në rrethana familjare, por avokati i tij kërkoi të ndryshohet akuza në vrasje në kushtet e tronditjes psikologjike.

Tv Klan






Të ngjashme