Gjykata lë në burg policin Alban Trimi
Alban Trimi efektivi i policisë që dyshohet se mori armën dhe telefonin e viktimës Elton Çiça , në vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës do të qëndrojë në burg.
Gjykata e Tiranës është bindur nga provat e sjella nga prokuroria dhe ka caktuar si masë sigurie për të, arrestin me burg pa afat.
Trimi nuk ka pranuar akuzën e ngritur se ka penguar zbardhjen e të vërtetës, shpërdorimit të detyrës dhe armëmbajtje pa leje duke deklaruar se, nuk ka marrë armë nga vendi i krimit .
Por prokuroria ka paraqitur si provë videon e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja.
Në to sipas prokurorit Enklid Gjini shihet qartë momenti kur qëllohet viktima dhe çanta e tij e krahut është në tavolinë.
Mjeku Redjan Rraja merr nga çanta e viktimës pistoletën dhe të cilën e lë në vendin ku ishin ulur.
Në këto kohë nga filmimet shihet që Alban Trimi merr disa sende personale te viktimës dhe celularin dhe largohet nga aty. Rikthehet përsëri dhe pasi ndihmon mjekun që të sistemojnë trupin e viktimës, merr pistoletë e tij e fut në brez dhe largohet nga lokali, për të mos u kthyer më. Mësohet se prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi për efektivin Trimi që natën e ngjarjes. Por duke qënë se nuk është gjetur në territorin e kryqytetit nga policia e Tiranës, ndalimi i tij është bërë ditën e enjte.
Nga verifikimet ka rezultuar se Alban Trimi ka qënë në Tepelenë në varrimin e Elton Çiçës. Edhe për mjekun Rraja gjykata vendosi një ditë më parë të njëjtën masë sigurie.
Tv Klan