Gjykata liron tregtarët e duhanit, u përplasën me policinë dhe Doganat


Gjykata liron tregtarët e duhanit, u përplasën me policinë dhe Doganat

13:49 13/11/2016

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lirojë katër tregtarët e duhanit të arrestuar një ditë më parë nga policia.

Për Arjan Halilin, Marjan Palalejn, Denis Zefin, dhe Astrit Muçajn është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Të premten këta persona kundërshtuan forcat e policisë dhe Doganën e Shkodrës, gjatë një aksioni për goditjen e tregtisë së paligjshme të duhanit.

Mbi këta persona është ngritur akuza e kundërshtimit të personave që kryejnë funksione publike, vetëm për rastin e doganierëve. Burimet sqarojnë se për goditjen e shefit të krimit ekonomik, Pjerin Lazri, në policinë e qytetit verior nuk është ngritur akuza.

Të njëjtat burime thonë se ai nuk ka patur asnjë shenjë dalluese që është punonjës policie.

Gjithashtu Prokuroria Shkodër do të vlerësojë veprimet e doganierëve për të saktësuar nëse ata duhet të ushtrojnë  kontrolle në trotuare.

Një ditë më parë, Gjykata e Shkodrës vendosi të pezullojë nga detyra Lazrin, pasi dyshohet se nuk ka respektuar ligjin. Në pamjet filmike i gjendur në sulmin e tregtarëve, ai ka nxjerrë armën e shërbimit. Kjo gjë ka irrituar më shumë tregtarët të cilët e kanë goditur me pako duhani dhe sende të tjera.

Tv Klan






Të ngjashme