Gjykata pezullon parlamentin katalanas
Teksa Katalonja po përgatitet për shpalljen e Pavarësisë, Gjykata Kushtetuese spanjolle vendosi masën e pezullimit për seancën plenare që pritet të mbahet të hënën në parlamentin katalanas, ku do të shpallej shkëputja e rajonit. Kushtetuesja pranoi apelin Partisë Socialiste të Katalonjës, e cila është kundër shkëputjes nga Spanja, por në parlamentin rajonal është pakicë kundër atyre që njihen si “indipendetistë”.
E njëjta gjykatë e shpalli të paligjshëm referendumin e 1 Tetorit. Liderët rajonalë janë shprehur më herët se vullneti i popullit prevalon mbi çdo gjykatë.
Bllokimi i parlamentit katalanas vjen pas thirrjes së Kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy që Katalonja të tërhiqet nga deklarimi i Pavarësisë.
“A ka nje zgjidhje? Po, dhe më e mira është kthimi i menjëhershëm në kuadrin ligjor dhe pohimi në kohën më të shpejtë të mundshme se nuk do të ketë një shpallje të njëanshme të Pavarësisë, sepse kjo është zgjidhja më e mirë që shmang të këqija më të mëdha”.
Nga ana tjetër, presidenti i Katalonjës, Carles Puidgdemont përsëriti se ka ndërmënd t’i shkojë deri në fund rrugës së shkëputjes nga Spanja.
Të mërkurën, PE i lëshoi një paralajmërim liderëve katalanas se nëse vënë në zbatim referendumin e paligjshëm, do të largohen edhe nga Bashkimi Europian.
Tv Klan