Gjyqi i 14 Shtatorit (13 Gusht 1999)
Gjyqi i 14 Shtatorit kthehet në komedi. Në seancën e sotme të gjyqit të 14 Shtatorit për grupin e parë të të akuzuarve merrte pjesë dhe avokati Ekrem Spahia ka filluar me një deklaratë nga ana e prokurorëve të çeshtjës, ku me anë të një letre drejtuar Presidentit të Republikës, kërkojnë riorganizimin e Gjykatës së Faktit të Tiranës. Kjo sepse sipas tyre për procesin në fjalë nuk po zbatohen si duhet normat proceduriale për një gjykim.
Sot nuk është paraqitur njëri prej gjyqtarëve që janë caktuar për gjykimin e kësaj çeshtje të bujshme. Por Sali Shehu ka marrë fjalën dhe ka kërkuar nga ana e vet shkrirjen e Prokurorisë. Kjo kundër kërkesë është motivuar me arsyen e implikimit të këtij organi në procese politike.
Shehu ka akuzuar hapur Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi si të korruptuar dhe shok të Zani Çaushit. Ai ka kërkuar lirimin e të pandehurve pasi siç u shpreh Shehu ata mbahen padrejtësisht në burg. Ndërkaq gjyqtarit të çeshtjes nuk i ka mbetur gjë tjetër veç të shtyjë seancën për javën e ardhshme./tvklan.al