Gjyqi i 14 Shtatorit – (26 Gusht 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Avokatët e dhjetë të pandehurve nga grupi i dytë i çështjes së grushtit të shtetit dështojnë sot në tentativën për gjykim në gjendje të lirë të klientëve të tyr nga gjykata e Tiranës. Pas seancës së djeshme për grupin e parë të të akuzuarve sot në Gjykatën e Faktit të Tiranës, ka vazhduar procesi për dhjetë të pandehurit e tjerë. Prej tyre pesë gjykohen në gjendje të lirë.
Në seancën e sotme avokatët e pesë të pandehurve që janë të arrestuar kanë kërkuar gjykimin e tyre në gjendje të lirë, pasi është mbushur periudha e tre muajve që nga fillimi i gjykimit. Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga prokurorët e çështjes Bandilli dhe Hysi.
Trupi gjykues i kryesuar nga Genc Sinani ka vendosur të revokoj këtë kërkesë të avokatëve pasi sipas kodit të procedurës penale diçka e tillë mund të bëhet vetëm nëse kalojnë gjashtë muaj. Por seanca e sotme ka vazhduar me hedhje poshtë kërkesash kur është kërkuar nga avokatët sjellja në cilësinë e dëshmimtarit të Presidentit Rexhep Mejdani dhe e shefit të SHIK-ut Fatos Klosi.
Sipas listave që disponon prokuroria në cilësinë e dëshmimtarit janë thirrur 485 vetë me numrin e të cilëve është e kënaqur dhe pala tjetër. Seanca e ardhshme do të zhvillohet të hënën kur do të dëshmojnë në të këshilltarët e Presidentit të Republikës Preç Zogaj, Sotiraq Kroni dhe Mentor Nazarko./tvklan.al