Gjyqi i Alimuçës (13 Dhjetor 1999)
Ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore në ngarkim të bosit të kompanisë VEFA si dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, seancë e cila u karakterizua me polemika të ashpra mes avokatëve mbrojtës së të akuzuarve dhe Prokurorisë. Avokatja e Alimuçës theksoi se provat e paraqitura së fundi nga Prokurori nuk janë origjinale dhe se nuk kanë të bëjnë me klientin e saj. Ajo vuri në dukje shumën që Alimuça ka patur në bankë përpara se kompania VEFA të merrej në administrim shumë e cila është rreth 40 milion dollarë.
Ndërkohë që Fahraudin Arapi thotë se në llogarinë e kësaj kompanie janë të depozituara vetëm 4.6 milion dollarë shumë e cila është përfituar nga shitja e deritanishme e aseteve të kësaj kompanie. Avokatët e të pandehurve të tjerë ngritën pretendimet për mungesën e kohës në shqyrtimin e provave të reja që paraqet Prokuroria nga seanca në seancë duke i kërkuar asaj paraqitjen e të gjitha provave që ajo disponon. U rikërkua dëshmia apo licensa e gjuhës së huaj e përkthyesit që ka përkthyer dokumentacionin voluminoz, kërkesë e bërë dhe në seanca të tjera. Seanca e ardhshme do të zhvillohet nesër./tvklan.al