Gjyqi i bandës së Lushnjes, arrestohen dëshmitarët – (29 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ka vazhduar me të papritura sot në gjykatën e Elbasanit, seanca gjyqësore ndaj bandës së Lushnjes. Gjyqtari elbasanas, në mes të seancës ka urdhëruar arrestimin në sallën e gjyqit, për një nga dëshmitarët e akuzës. Gjyqtari i çështjes Taulant Tafa, ka urdhëruar grupin e gatshëm prezent në sallë t’i vërë prangat dhe të arrestojë dëshmitarin Dashamir Kiçi, për dëshmi të rreme.
Çudia ka vazhduar dhe më, ku dhe 6 dëshmitarët e tjerë të thirrur po nga akuza, ose kanë anashkaluar, ose nuk i janë përmbajtur fare deponimeve të dhëna në prokurori. Anëtarë të së ashtuquajturës banda e Lushnjes, akuzohen për një sërë veprash penale, që nga vrasja e deri tek rrëmbimet gjatë vitit 1997 e në vazhdim. Në mungesë gjykohet edhe Aldo Bare, apo Alfred Shkurti, i cilësuar nga policia e Lushnjes, si kreu i bandës./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj