Gjyqi i Shullazit, përfundon dëshminë Ylvi Beqja


Gjyqi i Shullazit, përfundon dëshminë Ylvi Beqja

15:24 04/07/2017 https://youtu.be/lwWfu-vsdcY

Biznesmeni Ylvi Beqja ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda përballë Emiljano Shullazit dhe 4 bashkëpunëtorëve të tij. Ka qenë sërish një seancë e tensionuar mes biznesmenit dhe të pandehurve të këtij procesi.

Por ndryshe nga seanca e kaluar, ku Beqja tregoi me detaje se si ishte kërcënuar dhe shantazhuar nga Emiljano Shullazi, në seancë e kësaj të marte dëshmitari nuk i është përgjigjur pjesës me të madhe të pyetjeve.

Në dëshminë e 2 javëve më parë dolën emrat e disa personazheve të njohur të politikës, ndërsa në seancën e radhës përgjigja e preferuar e biznesmenit për pyetjet e avokatëve dhe të pandehurve ishte se

“nuk mbante mend”

dhe se

“nuk i kujtohej”

.

Gjithsesi Beqja sqaroi se u qëndronte të gjitha deklarimeve të tij në prokurori.

Kjo ka sjellë reagimin e fortë të Emiljano Shullazit, i cili ka kërkuar në sallë që Beqja t’u përgjigjej pyetjeve.

“Po rrime në burg ne. Ky na thotë që nuk më kujtohet. Do të na japë ndonjë përgjigje apo ta mbyllim fare gjyqin”

– u shpreh Shullazi.

Një pjesë të madhe të debatit në sallë e zuri pronësia e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Biznesmeni pretendon se është kercënuar me pistoletë për t’i dhënë 30 % të pronës Shullazit.

Në seancë e ardhshme gjyqësore do të thirren për të dëshmuar 5 persona.

Do të japin dëshmitë e tyre avokati Neshat Fana, i cili ka prezantuar Shullazin me Beqjan, 2 noteret Drita Pepi dhe Aida Spahiu janë kërkuar për të dëshmuar. Gjithashtu do thirret Ilirjan Muho, ish – Drejtor i Hipotekës, si dhe Merita Qato.

Ndërsa në listën e dëshmitarëve është dhe Jurgen Çyrbaj, ish-kreu i Hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Tv Klan






Të ngjashme