Mbrojtja e të akuzuarve për terrorizëm, myslimani: Gjyq politik, po dënohemi se lexojmë Kuranin


Mbrojtja e të akuzuarve për terrorizëm, myslimani: Gjyq politik, po dënohemi se lexojmë Kuranin

15:27 12/04/2016

Në seancën e mbrojtjes, të akuzuarit për nxitje të terrorizmit e quajtën me prapavijë politike gjyqin ndaj tyre. Ata thanë se po dënohen për leximin e Kuranit dhe faljen në xhami.

“Është gjyq politik po dënohemi pasi shkojmë ne xhami”, deklaroi Fadil Muslimani, një prej të arrestuarve për rekrutim të luftëtarëve në Siri. Ai akuzoi se procesi është i montuar dhe se ata po përndiqen vetëm se lexojnë “Kuranin”.

I pari që lexoi mbrojtjen e tij ishte Genci Balla. Ai e bazoi mbrojtjen e tij mbi “Kuran”, duke i thënë gjykatës se po dënohet pasi ka predikuar librin e shenjtë, i cili botohet nga Komuniteti Mysliman, prej 23 vitesh. Balla lexoi ajete të librit të shenjtë, që sipas tij për prokurorinë përbëjnë nxitje të terrorizmit. Ish-imami i tha gjykatës se ky libër lejohet të shpërndahet, ndërsa predikimi i tij quhet terrorizëm.

Ndërkohë i pandehuri tjetër, Gert Pashja hodhi dyshime mbi provat e prokurorisë. Sipas tij prokuroria është bazuar mbi prova me të cilat ai nuk është njohur.

Mbështetësit e të pandehurve, prej 45 seancash vazhdojnë të jenë të pranishëm të shumtë në numër.

Një jave më parë prokuroria në konkluzionet e saj kërkoi dënimin me 152 vite burg ne total për 9 të pandehurit.

Xhevahir Zhabina/Tv Klan






Të ngjashme