Dhunohet trajneri i Tiranës U17 Migen Memelli
Një tjetër trajner futbolli është dhunuar. Migen Memelli, i cili drejton 17-vjeçarët e Tiranës, është goditur me grusht nga babai i njërit prej futbollistëve paraditen e së enjtes në kompleksin “Skënder Halili”. Dëshmitarët thanë se agresori kishte edhe një thikë, por fatmirësisht nuk e përdori. Shkaku duket se ishte mospërfshirja e djalit të tij në formacion gjatë një miqësoreje.
I kontaktuar nga Tv Klan, Migen Memelli tha se ishte i tronditur nga ngjarja dhe se për aktin kishte bërë denoncim. Policia e kryeqytetit njoftoi se arrestoi menjëherë autorin, 47-vjeçarin Abdyl Çeku. Ndaj tij është ngritur akuza “kanosje për shkak të detyrës”. Klubi bardheblu reagoi me anë të një deklarate ku dënonte aktin. Aty shkruhet se do të mbështesë trajnerin dhe do të marrë masa për të mbajtur sa më larg prindërit që jo vetëm dëmtojnë fëmijët e tyre, por cënojnë integritetin e trajnerëve dhe imazhin e një klubi.
Ky rast kujton atë të trajnerit të Vllaznisë, Ernest Gjokës, i cili u sulmua në përfundim të stërvitjes, por fatmërisisht edhe ai nuk pati lëndime. Ngjarjen e dënoi edhe Federata Shqiptare e Futbollit duke kujtuar edhe rastin e trajnerit të Vllaznisë Gjoka, por kërkoi më tepër vëmendje nga klubet dhe inkurajoi trajnerët të vazhdojnë në misionin e tyre, të japin kontributin e tyre në fushën e futbollit.
Tv Klan