Goditet trafiku klandestin në Kavajë (5 Nëntor 1999)
Policia nis aksionin e asgjesimit të trafikut klandestin në Kavajë. Gjatë mbrëmjes së djeshme forcat e Komisariatit të Policisë së Kavajës kanë bllokuar në oborrin e një banese private një motoskaf me gjatësi 10 metra i tipit të fundit pothuajse i pakapshëm nga radarët si dhe një gomone me gjatësi 8 metra.
Ndërkohë që dy pronarët janë shpallur persona në kërkim është arrestuar pronari i banesës ku mbaheshin motoskafi dhe gomonia. Sipas hetimevve rezulton që i akuzuari strehues dhe favorizues i trafikut klandestin, i mbante këto mjete lundruese të fshehura kundrejt një pagese prej 300 dollarësh në muaj. Operacion i Policisë ka vijuar më tej ku Uniformat blu kanë arrestuar një kolegun e tyre i dyshuar si bashkëpunëtor me pronarët e mjeteve lundruese pa leje.
Pas sekuestrimit këto mjete janë në funskion të policisë kufitare. Ditët e fundit trafiku klandestin ka qënë aq shqetësues saqë detyroi Zëvëndës Ministrin e Brendshëm të Italisë Maritati të vizitojë urgjent Tiranën zyrtare. Pas takimit me të Ministri Poçi deklaroi se do ta asgjesojë trafikun klandestin duke goditur gomonet në tokë. Gjatë dy muajve të fundit në rrethin e Kavajës janë bllokuar 6 gomone. Nëse operacioni i fundit në Kavajë nuk është rastësi atëherë duket se ka filluar plani antiklanestin të deklaruar nga Poçi. /tvklan.al
Gazetare: Ornela Bego