Grabitësi i bankës në Vlorë tentoi të vriste policin në Greqi në 2014
Policia e Vlorës njoftoi sot se ka mundur të identifikojë autorët e grabitjes të bankës në Vlorë, ngjarje e ndodhur muajin e shkuar.
Njëri prej tyre është Kostandinos Sakaj, i cili është arrestuar. 37 – vjeçari është person me precendentë të mëparshëm penalë, i akuzuar për disa vepra penale. Në 2014 – ën ai akuzohet se tentoi të vriste një efektiv policie në Greqi.
Konkretisht:
Më datë 10.12.2012, ka qenë shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”
Më datë 17.07.2013, ka qenë shpallur në kërkim për “Vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”.
Ngjarje e ndodhur në Athinë Greqi, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit ka vjedhur automjetin e një shqiptari tjetër, vepër penale për të cilën Gjykata e Tiranës, më datë 04.05.2016, ka caktuar masën e sigurise “Arrest në burg”.
Më datë 14.02.2014, është akuzuar për “Vrasje të mbetur në tentative” të një punonjësi policie në shtetin grek dhe “Vjedhje me armë”.
Në periudhën 24.02.2015 – 30.10.2015, ka qenë dënuar me 8 muaj burg për “Dhunë në familje” (dhunë fizike ndaj bashkëshortës).
Ndërsa autori tjetër i dyshuar për grabitjen e bankës, me iniciale G. GJ. i shpallur në kërkim nga policia, ka këto precedentë të mëparshëm penalë:
Më datë 07.03.2012, ka qenë shpallur në kërkim dhe më pas është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shkatërrim prone me zjarr” (për djegien e disa materialeve të një lokali në Radhimë).
Më datë 23.01.2016, është arrestuar në flagrancë për “Kundërshtimin e punonjësit të policisë” dhe është dënuar me kusht me 18-muaj.
Por pavarësisht se ishte në liri me kusht, 36 – vjeçari G.GJ, nuk nguroi që vetëm pak muaj më vonë të kryente grabitjen.
Më 11 Korrik, rreth orës 13 e 56 minuta, Kostandinos Sakaj dhe G.GJ, të maskuar dhe të armatosur grabitën filialin e një banke të nivelit të dytë, në qendër të qytetit të Vlorës. Nën kërcënimin e armës ata arritën të merrnin 6 milionë lekë dhe 33.695 euro./tvklan.al