Grabitet autobusi i linjës Tetovë – Tiranë – (30 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Grabitet autobusi i linjës Tetovë-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në orën 23:10, në aksin rrugor Durrës-Tiranë. Autobusi i Tetovës me 20 pasagjerë shqiptarë nga Maqedonia, ndalon për shkak të një avarie, në momentin që shoferi i autobusit po riparonte defektin, dy të rinj të paidentifikuar, i kanë ofruar ndihmën e cila është refuzuar. Pas 10 minutash dy personat janë kthyer përsëri, por këtë radhë të armatosur me automatik.
Grabitësit kanë hyrë në autobusë dhe i kanë detyruar pasagjerët të zbrazin xhepat duke grumbulluar një shumë prej 3 mijë markash. Grabitësit janë larguar me një autoveturë, të cilës për shkak të errësirës dhe kohës së keqe ka qenë e pamundur t’i lexohet targa. Menjëherë ka reaguar policia, e cila deri sot paradite ka shoqëruar mbi 12 persona të dyshuar. Ka qenë vetë drejtori i policisë së Durrësit, Arben Ruçi, i cili po merret me ngjarjen që konsiderohet rasti i vetëm në këto vitet e fundit në aksin rrugor Durrës-Tiranë./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego