Grabiten gjatë natës zyrat e Prokurorisë së Durrësit

Foto: Hetuesit në Prokurorinë e Durrësit pas grabitjes

Grabiten gjatë natës zyrat e Prokurorisë së Durrësit

16:10 24/05/2018

Për të dytën herë brenda dy javësh, Prokuroria e Durrësit dhe materialet e saj janë grabitur. Mbrëmjen e së mërkurës, persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda në institucion duke përdorur dritaret e tualetit të cilat ishin lënë të hapura.

Më pas, autorët kanë thyer derën e serverit  duke e shkatërruar plotësisht dhe marrë nga aty pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë dhe disa materiale të tjera që nuk specifikohen nga Prokuroria. Pre e grabitësve ka qenë dhe zyra e prokurorit Afrim Shehu, i cili bën pjesë në njësinë Task-Forcë.

Grabitësit kanë bastisur edhe zyrën e disa oficerëve dhe janë marrë nga aty fashikuj hetimorë. E para që ka konstatuar ngjarjen ka qenë pastruesja e institucionit, e cila më pas ka lajmëruar për grabitjen. Policia dhe Prokuroria janë vënë në lëvizje duke ngritur një grup hetimor të përbashkët. Hetuesit kanë dyshime se pas kësaj ngjarje qëndron një grup i strukturuar kriminal dhe kanë nisur një hetim bazuar në nenet 333 a dhe 334 të Kodit Penal. Gjithashtu po hetohet edhe për veprat penale të ndërhyrjes në sisteme kompjuterike dhe zhdukjen e fashikujve hetimorë.

Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e pastrueses dhe punonjësve të policisë private që ruan institucionin. Ndërsa do të ketë vështirësi në identifikimin e autorëve, pasi kamerat e sigurisë së institucionit janë dëmtuar. Hetuesit janë duke verifikuar të gjitha dosjet që rezultojnë të grabitura për të parë nëse klasifikohen si sekret shtetëror. Prokurorët janë duke punuar për të sqaruar nëse grabitja e të mërkurës ka lidhje me atë të datës 8 Maj. Pikërisht në qendër të qytetit, sapo doli nga posta u grabit korrierri i Prokurorisë. Atij iu mor çanta në të cilën mbante disa materiale, që sipas prokurorisë nuk klasifikoheshin si sekrete.

Tv Klan






Të ngjashme