Grabitja e 1 milion € në Rinas, gjendet një paruke
Një paruke e gjetur pak metra larg vendin ku grabitësit e një milion eurove në Rinas dogjën makinën, është prova me e vlefshme që hetuesit kanë dorë, për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Parukja është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore ku po i nënshtrohet një ekzaminimi. Janë gjetur disa fije floku në të, të cilat po ekzaminohen për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar.
Ndërkohë janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në rrugën, që autorët kanë ndjekur deri në vendin ku dogjën automjetin. Por edhe gjatë kësaj periudhe kohore ata nuk i kanë hequr maskat duke e bërë të vështirë identifikimin, apo ndërtimin e një identikiti.
Djegien e makinës nuk e ka parë askush, gjë që tregon se autorët e kanë studiuar me detaje çdo lëvizje të tyre për të mos lënë pas asnjë gjurmë.
Grupi hetimor ka dyshime që autorët e grabitjes spektakolare të fshihen dhe të jenë nga Kruja. Gjithashtu sqarohet se në sitën e hetuesve po kalojnë dhe veprimet e disa personave nga Tiranë, për të cilët po kryhen verifikime.
Disa dhjetëra numra telefonash janë vënë në përgjim nga prokuroria, por deri në këto momente nuk është përfituar asnjë e dhënë e vlefshme për zbardhjen e ngjarjes. Pjesë e hetimit është dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, të cili i është kërkuar ndihmë për mbajtjen në vëzhgim të disa personave. /TV KLAN