Grabitja e 1 mln eurove në Rinas, Apeli shpall moskompetencë për 5 të arrestuarit
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli moskompetecë për shqyrtimin e masave të sigurisë për 5 të arrestuarit për grabitjen e 1 milionë eurove, në pistën e Rinasit.
Togat e zeza argumetuan se akuza e shpërdorimit të detyrës, që rëndon mbi shoqëruesin e vlerës monetare, Kujtim Picarin, punonjësit e kompanisë ICTS, Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzajn e Arben Karafilin, si dhe Drejtorin e Shërbimeve Aeroportuale, Vangjel Nikolla nuk mund të shqyrtohet nga kjo gjykatë.
Në të tilla kushte, brenda 10 ditësh, kjo çështje i kalon për shqyrtim gjykatës kompetente, që në këtë rast është Apeli i Tiranës. Prokuroria pretendon se këta persona duhet të jenë nën hetim nga Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila po heton dosjen e grabitjes spektakolare në pistën e avionëve.
Sipas Prokurorisë, ky është një procedim i lidhur dhe nuk ka sesi 5 personat e arrestuar të hetohen nga një prokurori tjetër. Megjithatë kjo është çështje që pritet të zgjidhet nga rekursi që do bëjnë palët në Gjykatën e Lartë.
Avokatët mbrojtës të të arrestuarve pretendojnë se klientët e tyre nuk kanë lidhje me grabitjen dhe për këtë arsye duhet të lirohen nga burgu.
Tv Klan