Grabitja në Rinas, dosja te Krimet e Rënda. Hetohet lidhja me dy grabitje të tjera në Tiranë


Grabitja në Rinas, dosja te Krimet e Rënda. Hetohet lidhja me dy grabitje të tjera në Tiranë

15:20 07/07/2016

Prokuroria e Krujës ka shpallur moskompetencën e saj për hetimin e grabitjes së 1 milionë eurove, në pistën e aeroportit të “Rinasit”.

Akuza e Krujës argumenton se kjo grabitje është kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe si e tillë nuk mund të hetohet prej saj.

Për këtë arsye, këtë të enjte, dosja i është deleguar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranës, e cila ka kompetencë dhe burime njerëzore për të hetuar çëshje të tilla.

Pjesë e këtij hetimi do të jenë dhe dy grabitjet e tjera të bankave, të ndodhura në Tiranë, tek Stacioni i Trenit dhe tek kryqëzimi i Laknasit, në rrugën që të çon për në aeroport.

Së bashku me grabitjen, Krimet e Rënda do të hetojnë edhe akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Për këtë vepër janë arrestuar 5 punonjës të aeroportit, të kompanisë së sigurisë ICTS dhe të sigurisë së parave të bankës.

Arben Karafili, Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzaj, Vangjel Nikolla dhe Kujtim Picari pritet të dalin përsëri para Gjykatës së Krimeve të Rënda brenda 10 ditëve, për vlerësim të masës së sigurisë. Gjykata e Krujës vendosi t’i lerë në burg, me argumentin se nuk kishin kryer detyrën siç duhet ditën e grabitjes.

Tv Klan






Të ngjashme