Grabitja në Vlorë, reagon Basha dhe Berisha
Për grabitjen në Vlorë ka reaguar Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai thotë se kjo është e katërta vjedhje bankash, në harkun kohore të 18 muajve.
Sipas tij, arsyeja kryesore e grabitjeve me armë në mes të ditës është se krimi ka kapur qeverinë dhe krerët më të inkriminuar të Policisë së Shtetit, në këto 25 vite.
Basha thotë se, kur vendi grabitet çdo ditë nga qeveritarë grabitqarë, që vjedhin në dogana, në tatime, në tendera e koncesione, duke u marrë qytetarëve qindarkën e fundit me rritje taksash e me gjoba, kjo një thirrje për çdo grabitës dhe një legalizim i grabitjes.
Po ashtu, për grabitjen ka reaguar edhe ish – Kryeministri Sali Berisha, i cili në një postim në Facebook shkruan:
“Sot, ditën për diell, në mes të Vlorës, bandat e Saje qorrit realizuan përsosmërisht vjedhjen bankare të radhës. Policia njoftoi se sekuestroi kamerat. Kështu që kësaj radhe rrini të qetë, se nuk do të thotë se hajdutët ishin nga Burreli apo Kosova, si në rastin e aeroporit, por thjeshtë kamerat ishin jashtë funksioni! Miq, sot në Shqipëri vidhet më lehtë ditën për diell se sa në çdo orë të natës. Kjo sepse natën mund të ngatërrosh objektin!”/
tvklan.al