Gratë naftëtare hyjnë në grevë urie
“Kërkojmë zbatimin e ligjit, jo lëmoshë”
Pas 18 ditësh rezistencë, naftëtarët e Ballshit kanë lënë grevën e urisë për t’u zëvëndësuar nga bashkëshortet dhe koleget e tyre.
Janë 20 gra, të cilat të shoqëruara nga duartrokitjet e qindra naftëtarëve, kanë zënë vendin e grevistëve tashmë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ato thonë se do të sakrifikojnë edhe jetën derisa të marrin një zgjidhje për pagat e prapambetura.
“Ne do ta çojmë deri në fund, se s’bën, deri sa të vdesim. Të na japin të drejtën tonë”.
“Do ta zbatojmë deri në fund, kërkojmë zbatimin e ligjit, nuk kërkojmë lëmoshë”.
“Ato bëjnë përgjegjëse gjithë klasën politike që nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së tyre”.
“Vendimi më ekstrem është futja e grave në grevë urie, turp t’u vijë atyre që nga Presidenti, Kryeministri, kryetarin e opozitës e të gjithë me radhë”.
Këtë të enjte naftëtarët kanë patur edhe një takim me përfaqësuesit e firmës që ka në administrim uzinën e përpunimit të naftës, por pa arritur asnjë rezultat.
Kreu i sindikatës Sokol Dautaj, konfirmoi se greva e urisë do të vazhdojë e njëkohësisht edhe protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Tv Klan