Greqi, arrestohen për vjedhje 4 shqiptarë
Policia greke njoftoi se ka arrestuar katër pjesëtarë të një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi dhe pastaj mallrat i shiste në Shqipëri. Katër të arrestuarit janë shtetas shqiptarë dhe sipas policisë kanë deklaruar se janë punonjës në sektorin e doganave.
Policia ka sekuestruar gjithashtu dy furgonë, drejtuesit e të cilëve u larguan në drejtim të paditur. Por ata janë identifikuar dhe tashmë janë shpallur në kërkim.
Katër personat që u vetëdeklaruan si doganierë shqiptarë, janë arrestuar në Kalpaki, pranë Kakavijës, kur policia ndaloi automjetin e tyre. Ata akuzohen se shërbenin si pararojë e dy furgonave, për të kontrolluar rrugën. Si makina, ashtu edhe dy furgonat tentuan të largoheshin me shpejtësi kur pikasën se po i ndiqte policia.
Në karroceritë e furgonave u gjetën makineri bujqësore dhe pjesë këmbimi automjetesh si dhe një numër i madh pajisjesh elektroshtëpiake, si frigoriferë, makina larëse, etj.
Policia greke thotë se katër të arrestuarit, si dhe bashkëpunëtorët e tyre për të cilët po hetohet, kishin krijuar një grup kriminal, me qëllim kryerjen e vjedhjeve në zona të ndryshme të Greqisë dhe më pas i transportonin mallrat në Shqipëri, ku i shisnin.
Tv Klan