Greqi/ Burg përjetë 27-vjeçares që vrau shqiptarin, kërcënon edhe gruan e viktimës
Gjykata greke ka dënuar me burgim të përjetshëm 27-vjeçaren e droguar që vrau me thikë shqiptarin Valton Loka, ngjarje e ndodhur Nëntorin e 2017 në ishullin e Kretës.
Në seancën e sotme gjyqësore, ishte edhe bashkëshortja e shqiptarit të ndjerë. Ajo fajësoi autoritetet greke se askush nuk i ka ardhur në ndihmë asaj dhe dy fëmijëve. Gruaja shqiptare tronditi me dëshminë e saj, duke përshkruar se humbi bashkëshortin, shtyllën e familjes së saj. Ai u vra pa shkak, dhe gruaja mbeti e vetme me dy fëmijët e saj të mitur, më i madhi 7 vjeç. Ajo tashmë është larguar nga Kreta dhe jeton në Gjermani."Ajo vrau 4 vetë, burrin tim, mua dhe dy fëmijët tanë. Përse shteti nuk më mbrojti atë ditë? As gjykatat, as policia, as spitali...Askush nga institucionet përkatëse nuk funksiononte siç duhej",
tha e përlotuar e veja e 35-vjeçarit shqiptar. Nga ana tjetër, autorja 27-vjeçare, e cila rezulton të jetë e droguar dhe e prekur nga virusi HIV/AIDS, tha në sallën e gjyqit:"Nuk mund ta shikoj në sy gruan të cilës i mora jetën e burrit".
Ajo shtoi gjithashtu se me viktimën kishte marrëdhënie të mira, i cili shpesh e ndihmonte duke njoftuar ambulancën sa herë që ajo ndihej keq për shkak të drogës. [caption id="attachment_416458" align="aligncenter" width="708"] Foto: Shqiptari Valton Loka[/caption] 27-vjeçarja kërkoi nga gjykata që t'i jepej një mundësi për t'u futur në një qendër rehabilitimi dhe të rifillonte jetën nga e para. Më pas nisi të mallkonte dhe të kërcënonte të venë shqiptarit të vrarë. Situata në sallën e gjyqit u tensionua kur e pandehura tentoi ta sulmonte, por situata u vu nën kontroll. Ndërsa prokurori i çështjes tha se autorja kishte vepruar me urrejtje ndaj viktimës dhe nuk ishte penduar për krimin që kishte kryer, duke kërkuar kështu dënim maksimal për 27-vjeçaren. Deklarata e tij nxiti reagimin e ashpër të të pandehurës. Gjykata e dënoi atë me burgim të përjetshëm dhe 2 mijë Euro gjobë. 35-vjeçari shqiptar Valton Loka u qëllua për vdekje nga fqinja e tij e droguar. Ajo sapo ishte liruar nga Gjykata atë ditë, dhe nën efektin e drogës sulmoi me thikë babain e dy fëmijëve duke e lënë të vdekur./tvklan.al