Greqia ashpërson tonet, Erdogan përshëndet “F-16”-at
Ditën që Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, ka paralajmëruar se Greqia dhe Turqia janë shumë pranë “
një incidenti fatal
” që mund të çojë deri në luftë mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Erdogan është fotografuar teksa përshëndet pilotët e avionëve luftarakë që e shoqëronin. Paralajmërimin Kammenos zgjedhi ta bënte gjatë një interviste për gazetën prestigjioze franceze “Liberation”, ku kujtoi se “ne jemi të detyruar ta mbrojmë territorin tonë, i cili nuk është vetëm grek, por edhe evropian. “Ne jemi shumë pranë një aksidenti fatal. Kur dhunohet fusha jonë ajrore, ne dërgojmë avionët tanë për të dëbuar ato turq”,
tha Kammenos duke shtuar se“në thelb, Greqia është në mëshirën e një aksidenti që në çdo moment mund të përfshirë rojet bregdetare, marinën etj”.
Në krahun tjetër, Presidenti turk Erdogan është fotografuar të shtunën duke përshëndetur pilotët e avionëve luftarakë që e shoqëronin në udhëtimin nga Mersin në Antalia, në brigjet e Egjeut në Turqi.
Erdgoan po fluturonte për në Antalia ku mori pjesë në një kongres së partisë së tij. Media turke thotë se gjatë të gjithë fluturimit, avioni i Erdoganit shoqërohej nga “F-16”-at.
Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje të mëdha për shkak të disa ishujve të pabanuar në detin Egje. Tensionet i ka shtuar refuzimi i Athinës për të ekstraduar disa ushtarakë turq që kërkuan azil politik në Greqi pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, sidhe arrestimi më 1 Mars të këtij viti i dy ushtarëve grekë nga forcat turke pasi kishin kaluar kufirin greko-turk. /tvklan.al