Greqia ofron “turizëm nga shtëpia”


Greqia ofron “turizëm nga shtëpia”

17:30 14/04/2020

Rreth 26 milionë turistë të huaj, që duan të vizitojne Greqinë këtë vit, janë në dilemë se kur do të rihapen plazhet helene dhe kur do të harrohet koronavirusi. Nga turizmi, Greqia arkëton fitime neto rreth 16 miliardë Euro në vit.

Për t’i mbajtur me optimizëm amerikanët, britanikët, nordikët, italianët etj, që ëndërrojnë ishujt Santorini, Mikonos, Kretë apo Rhodos, Organizata Kombëtare e Turizmit Grek po shfrytëzon kanalin YouTube, ku hedh video me moton “Greqia nga Shtëpia”, iniciativë e vlerësuar edhe nga miliarderi i njohur amerikan Bill Gates.

Gjithsesi situata e krijuar prej Covid-19, e cila ka sjellë anulime masive të prenotimeve, mund të falimentojnë një në dy hotele greke. Nga kjo krizë rrezikohen më shumë se 45,000 vende pune, ndërsa numri i të papunëve dyfishohet po të llogariten edhe dhomat dhe banesat me qira, të cilat administratohen prej vetë pronarëve të tyre.

Nëse këtij numri i shtohen edhe aktivitetet e tjera të lidhura me sektorin, si zyrat turistike, shoferët e autobusëve, shërbimet e pastrimit ose ato të furnizimit me ushqime, dëmet janë shumë më të mëdha.

Qeveria greke ka njoftuar se hotelet dhe strukturat e dhomave me qira do të qëndrojnë të mbyllura deri në 15 maj, kur shpresohet të hapet kufiri me vendet fqinje, si dhe do të lejohen fluturimet nga dhe drejt Greqisë.

Llogaritet se dëmi që hoteleria do të pësojë për vitin 2020 do të jetë rreth 4.6 miliardë Euro. Qeveria ka premtuar si mbështetje për turizmin 2 miliardë Euro.

Pagesa e sigurimeve për të gjithë stafin e hoteleve,  të cilët do të marrin 800 Euro si page lufte,  është pezulluar. Gjithashtu është anuluar pagesa e kësteve të kredive që ka turizmi deri në pranverën e vitit 2021.

Klan Plus






Të ngjashme