Greqia, shtrëngon “rripin” sërish
Parlamenti grek po diskuton mes debatesh të ashpra një paketë masash të reja, një kusht i domosdoshëm për finalizimin e negociatave me kreditorët.
Pika më e rëndësishme e kësaj pakete lidhet me një fond të ri për shfrytëzimin e aseteve publike, që sipas opozitës nuk është tjetër veçse një ristrukturim i fondit të privatizimeve, por sipas modelit që preferon SYRIZA në pushtet.
Pjesë e këtij fondi do të jenë edhe ndërmarrjet fitimprurëse shtetërore, disa prej të cilave konsiderohen të karakterit strategjik. Të tilla janë korporata energjetike, apo ndërmarrjet e ujësjellësit në Athinë dhe Selanik.
Pavarësisht kundërshtimeve të zjarrta të opozitës, projektligji pritet të kalojë, pasi maxhoranca e brishtë qeveritare i ka numrat e nevojshëm.
Dy deputetë qeveritarë që kishin thënë më herët se nuk do të votonin, deklaruan të martën në mbrëmje se e mbështesin projektligjin, pasi morën garanci se ndërmarrjet strategjike nuk do të privatizohen.
Miratimi i projektligjit është një nga kushtet kryesorë para se kreditorët e Greqisë të vendosin për disbursimin e një kësti me vlerë 2.8 miliardë euro të kredisë që iu akordua vitin e kaluar Athinës, në kuadër të paketës së tretë të shpëtimit./tvklan.al