Greqia vendos të mbyllë kampet e refugjatëve në ishuj
Shkak, gjendja e mjerueshme dhe kushtet e vështira
Pamundësia për të menaxhuar kampet e improvizuar të refugjatëve në ishujt e Egjeut për shkak të mbipopullimit ka detyruar qeverinë greke të urdhërojë mbylljen e tyre.
Kombet e Bashkuara dhe ekipet humanitare i kanë vlerësuar kushtet në këto kampe si katastrofike. Ndaj dhe qeveria greke të krijojë qendra të reja, prej të cilave ata nuk mund të largohen, deri kur të vendoset nëse i përmbushin apo jo kushtet për marrjen e statusit të azilantit.
“Po ngremë qendra të mbyllura para-largimi. Refugjatët nuk mund të lëvizin më të lirë në gjithë vendin. Me këtë mënyrë u dërgojmë mesazh të qartë emigrantëve që duan të hyjnë ilegalisht në vend dhe që e kanë të qartë se nuk përmbushin kushtet për azil”.
Qeveria greke ka ngritur po ashtu edhe një agjenci të re për mbikëqyrjen e kufirit që monitoron hyrjen dhe lëvizjen e emigrantëve nëpër ishuj. Autoritetet po zbatojnë procedura të reja që përshpejtojnë procesin e vlerësimit të kërkesave të azilit dhe dëbimin e atyre që nuk e meritojnë.
Në kampet e improvizuara të ishujve grekë strehohen aktualisht 36 mijë azilkërkues nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, një shifër që kapërcen disa herë kapacitetet. Vetëm në ishullin Lezbos kapaciteti i pritjes së refugjatëve është 2840, por aktualisht aty strehohen gati 6 herë më shumë refugjatë.
Tv Klan