Greva e studentëve të Universitetit Politeknik – (30 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Studentët e fakulteteve të Inxhinierisë Elektrike, Mekanike dhe Elektronike, kishin braktisur sot orët e para të mësimit, duke u hedhur në një grevë pa afat. Inisiatorët e nisjes së kësaj greve ishte Unioni i Pavarur Studentor, i cili ka paraqitur disa kërkesa. Njëri nga drejtuesit e këtij unioni thotë:
“Kërkesat tona më kryesore janë, heqja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për studentët, subvencionimi i teksteve universitare, dhënia e autonomisë së universiteteve shqiptare, rritja e pagës së pedagogëve në masën 100%, ndryshimin e kritereve për fitimin e bursës, heqja e stazhit, si dhe denoncimin e politikës anti universiteteve shqiptare, që ka bërë kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama”.
Ndërkohë me studentët janë bashkuar dhe një pjesë e pedagogëve të cilët si kërkesë kryesore kanë rritjen e rrogës në masën 100%. Ndërsa rektorja e Universitetit Politeknik në lidhje me këtë ngjarje jep këtë prononcim.
“Unë jam pak e habitur, sepse megjithëse këto nuk kanë drejtpërdrejtë të bëjnë me shkollën, janë probleme të cilat mund të debatohen, mund të diskutohen dhe një pjesë e tyre janë edhe në rrugën e zgjidhjes”.
Megjithatë, një pjesë e studentëve në këto fakultete nuk janë solidarizuar me grevën dhe kanë vazhduar leksionet. Ndërkohë në pikën ku akuzohet Edi Rama, ky i fundit i është përgjigjur me një njoftim për shtyp, ku thuhet se është një keqkuptim, ose një instrumentalizim keqdashës me sfond elektoral./tvklan.al