Grisen posterat e kandidatit të PS në Durrës – (5 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Posterat e fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste në Durrës janë grisur pa u vënë mirë akoma. Në të gjithë qytetin i vetmi poster i mbetur akoma i paprekur është ai i vendosur në hyrje të godinës ku gjendet selia e PS. Sipas kryetarit të degës së kësaj partie, Gazmir Bizhga kanë qenë militantët e PD autorët e këtij veprimi vandal. Megjithatë, tha ai, brenda dy ditëve jo vetëm që do t’i zëvendësojmë të gjithë posterat pa përjashtim, por edhe në qendër të qytetit do të vendoset një poster i madh i kandidatit socialist për kryetar të bashkisë Miri Hoti.
Ndërkohë dega e Partisë Demokratike mohon akuzat e socialistëve edhe ata parashikojnë një fat të tillë për posterat e tyre, ndaj parashikojnë të marrin masa duke përgatitur dyfishin e sasisë së duhur të posterave. Siç duket lufta mes këtyre dy kandidatëve kryesor për bashkinë e Durrësit, nuk do të zhvillohet vetëm me programe, akuza dhe sharje por do të bazohet edhe në numrin e posterave të grisura./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame