Gruaja lind në majë të pemës


Gruaja lind në majë të pemës

18:44 03/04/2019

Një grua solli në jetë një fëmijë mbi një pemë mangoje, ndërkohë që përpiqej t’i shpëtonte përmbytjeve në Mozambikun qendror, të shkaktuara nga cikloni Idai.

Sipas asaj që shkruan BBC, Amelia solli në jetë një vajzë, Sara, ndërkohë që qëndronte në degët e pemës sëbashku me djalin e saj 2-vjeçar. Familja u shpëtua dy ditë më vonë nga fqinjët, pas stuhisë që vrau më shumë se 700 persona.

“Isha në shtëpi me djalin tim 2-vjeçar kur papritur pa asnjë paralajmërim nisi të futej uji në shtëpi. Nuk kisha zgjidhje tjetër përveçse të hipja në pemë, isha vetëm me djalin”

, tha Amelia për Unicef.

Nëna dhe dy fëmijët e saj aktualisht po qëndrojnë në një akomodim të përkohshëm pranë Dombe dhe mësohet se gëzojnë shëndet të mirë.

Ngjarja e pazakontë vjen rreth 20 vjet më vonë pasi një tjetër bebe mrekulli, Rosita Mabuiango, lindi në pemë gjatë përmbytjeve në jug të Mozambikut.

Rosita, sot 19-vjeçe, zuri faqet e para të mediave ndërkombëtare, pasi ajo dhe nëna e saj Sofia u shpëtuan me helikopter nga një pemë e rrethuar nga përmbytjet. Duke folur për mediat, Sofia tha se lindja kishte qenë shumë e dhimbshme.

/tvklan.al






Të ngjashme