Gruaja rrëfen tmerrin 38 vite më vonë: Pas divorcit të prindërve, babai abuzonte me mua
Një grua 50-vjeçare ka rrëfyer tmerrin që ka kaluar kur ishte 12 vjeç. Carol Higgins nga Britania e Madhe ka thënë për “Daily Mail” se është abuzuar seksualisht nga i ati pas divorcit të prindërve.
Ajo është shprehur se babai e trajtonte si “gruan e tij të re” dhe abuzonte me të 4 herë në javë.
Këtë histori të dhimbshme, Carol thotë se e denoncoi, por autoritetet nuk kishin vepruar. U deshën rreth 30 vite që ngjarja të zbulohej plotësisht dhe babai i saj 72-vjeçar Elliot Appleyard të dënohej me 20 vite burgim.
“Herën e parë kur babi më puthi, kemi qenë në një udhëtim të zakonshëm që shkonim për gjueti. Ai bënte gjeste që unë të ulesha në prehrin e tij. U hutova dhe u frikësova. Prej asaj dite, babi më puthte sa herë shkonim për gjueti”.
Pasi kishin kaluar disa muaj nga abuzimet seksuale të të atit, Carol gjeti guximin dhe i tregoi të ëmës së saj. Më pas, disa punonjës social zhvilluan takime me Carol. Megjithatë, nuk u ndërmorr asnjë veprim tjetër.
Kur Carol ishte 14 vjeç, bëri një festë me shoqërinë në shtëpinë e saj kur i ati nuk ndodhej. Pasi babai mësoi çfarë kishte ndodhur, ai filloi t’i bërtiste vajzës.
“U frikësova shumë se çfarë do të bënte dhe preva damarët me thikë. Në vend që të më çonte në spital, ai më tha të fle në shtratin e tij. Pas disa orësh, ai filloi të më thoshte se sa e bukur isha dhe abuzoi me mua seksualisht. Unë isha e shokuar, ndërsa ai sillej sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, ka treguar Carol.
Që prej këtij momenti, i ati ka abuzuar vazhdimisht me vajzën kur ajo ishte adoleshente. Pas disa muajsh, i vendosi vajzës unazë.
“Unë isha vajza e tij, por ai më trajtonte si gruan e tij. Nuk më lejonte të shkoja në shkollë dhe më linte në shtëpi për të gatuar dhe për të pastruar”, thotë Carol.
Pasi mbushi 16 vjeç, vajza u largua nga banesa dhe shkoi të jetonte me të ëmën, të cilës i tregoi gjithçka.
Mamaja e Carol u përball me ish-bashkëshortin, por ky i fundit i tha që të provonte akuzat ndaj tij.
Carol shkoi edhe në polici për të denoncuar babain, por autoritetet i kishin thënë se nuk kishin asnjë provë për ta akuzuar, përveç dëshmisë së saj.
Por pas 30 vitesh, çështja u rihap dhe babai i saj u dënua me 20 vite burgim. /tvklan.al