Gruevski përplaset me ambasadorët e SHBA dhe BE


Gruevski përplaset me ambasadorët e SHBA dhe BE

19:54 17/12/2016

VMRO-DPMNE, pas takimit të së premtes me Ambasadorin amerikan, Xhes Bejli dhe ambasadorit të BE-së, Samuel Zhbigar ka përdorur një gjuhë jodiplomatike në komunikimin me publikun.

Si kurrë më parë, në komunikatat e saj është përcjellë biseda e plotë mes kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe dy ambasadorëve.

Siç shihet nga komunikatat Gruevski ka përdorur një ton të pazakonshëm dhe gjuhë të ashpër ndaj ambasadorëve, të cilët takimet i zhvilluan pas protestave të organizuara nga VMRO-DPMNE para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në një kohë kur po shqyrtohehin ankesat e LSDM-së. VMRO-DPMNE ka bërë publike komunikatën në pika të shkurtra:

Bejli

: Cilat janë planet e VMRO- DPMNE-së për koalicion?

VMRO DPMNE:

Planet varen nga partitë e tjera, të cilat po ndikohen edhe nga faktorë të jashtëm!

Bejli

: Cilët janë këta faktorë të jashtëm?

VMRO DPMNE:

Nuk jemi të autorizuar të tregojmë!

Bejli:

Mund t’ju ndihmojmë në këtë drejtim!

VMRO DPMNE:

Puna juaj është vetëm të ndiqni situatën dhe t’i raportoni shtetit tuaj!

Bejli:

Ne ju kemi ndihmuar deri tani!

VMRO DPMNE:

Për ndihmën e deritanishme, faleminderit!

Bejli:

SHBA është mike e Maqedonisë, por disa anëtarë të partisë suaj nuk ndajnë të njëjtin qëndrim!

VMRO:

Nuk ka dilema rreth anëtarësimit në NATO e BE dhe miqësisë me SHBA-në, por kjo nuk do të thotë se disa individë, partia apo shteti nuk mund të shprehin mospajtueshmëri me disa hapa që individë të caktuar që përfaqësojnë SHBA-në kanë ndërmarrë këto kohë.

Përveç dialogut, i cili në nëntekstin e tij shfaq mospajtimet mes Gruevskit dhe Ambasadorit Bejli, VMRO- DPMNE ka zhvilluar takime edhe me ambasadorin e BE-së, Samuel Zhbogar. Ish – Kryeministri Gruveski i shprehu shqetësimin zotit Zhbogar se disa përfaqësues nga vendet e Bashkimit Europian po ndërhyjnë në mënyrë të vrazhdë në punët e brendshme të Maqedonisw, çka është nxitur më shumë në periudhën zgjedhore.

Ndërkohë që KSHZ vijon punën për shqyrtimin e ankimimeve të mbetuara nga social demokratët e LSDM-së, mbështetësit e VMRO-së protestojnë përpara selisë për moshapjen e kutive.

Tv Klan






Të ngjashme