Grupi mediatik Klan krijon gazetën “Korrieri” – (15 Mars 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Intervistë me Aleksandër Frangaj, për daljen në treg të gazetës më të re “Korrieri”.
Gazetarja:- Zoti Frangaj, së shpejti del në treg gazeta “Korrieri”, nga grupi mediatik Klan. A mund të na thoni se ç’është kjo gazetë?
Aleksandër Frangaj:- “Gazeta “Korrieri” është prodhimi më i fundit nga grupi mediatik Klan, pas botimit të revistës Klan, Radio Klan, që e kemi pasur dhe TV Klan. Grupi ynë mendoi që të nxjerrë në treg dhe një gazetë të përditshme me titullin “Korrieri”. Në kushtet e sotme, kur shtypi shqiptar dominohet nga një nivel mediokër, kur sot një pjesë e mirë e gazetave, përdoren për t’u sulmuar, përdoren si maska të zeza ndaj biznesit, si maska për t’i vënë gjoba politikës, për t’i vënë gjoba pushtetit etj. Pra ajo që mbizotëron prej dhjetë vjetësh, vazhdimisht gazetat i ka dominuar agresiviteti dhe përdorja e tyre ndaj kundërshtarëve. Grupi ynë që do jenë edhe botuesit e kësaj gazete, përbëhet nga unë Aleksandër Frangaj, zoti Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, Andi Bushati, një tjetër botues i “Korrierit” është zoti Ismail Kadare dhe disa gazetarë të tjerë, si dhe zoti Marsel Skëndo biznesmen i njohur, njëkohësisht një prej ortakëve të TV Klan. Ky është grupimi i këtyre njerëzve që mendojnë të lindin këtë gazetë, e cila do të jetë gazeta e vërtetë. Korrieri do të jetë gazeta që nuk merr përsipër të sulmojë, por gazeta që merr përsipër të informojë. Gjithashtu “Korrieri” do të jetë gazeta e parë me ngjyra”./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora