Grupi socialist për Nanon – (27 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Grupi parlamentar socialist është përfshirë sot nga debate të ashpra në lidhje me kërkesën e një grupi të deputetëve për rikthimin e Nanos në krye të kësaj partie nëpërmjet rimbledhjes së Komitetit të Përgjithshëm Drejtues. Vetë ish-kryesocialisti Nano ka marrë pjesë sot për herë të parë në mbledhjen e mazhorancës socialiste, në kohë që inisiativa për mbledhjen e firmave pro tij ka shkaktuar reagime të ndryshme.
Gazetari:- Si e vlerësoni rikthimin e Nanos në grupin parlamentar?
Ilir Meta:- “Do më lejoni të futem brenda. Nuk është demokratike të ndaloni qytetarët të kryejnë detyrat e tyre”.
Servet Pëllumbi:- “Ish-kryetari i partisë e zgjidhi vetë kontratën me kongresin e mëparshëm duke dhënë dorëheqjen, qoftë edhe të përkohshme dhe shtroj çështjen se do ti drejtohet bazës për të fituar solidaritetin e nevojshëm për kongresin e ardhshëm. Efektivisht kryetari nuk zgjidhet nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues sipas statutit por zgjidhet nga Kongresi. Edhe sikur KPD ta kishte votuar këtë do të ishte një shkelje e statutit”.
Ndre Legisi:- “Nuk ka asnjë shkelje statutore nëse 1/3 e anëtarëve të KPD kërkojnë të mblidhen, por edhe sikur të kërkojnë të mblidhen ato do të paraqesin nenin e ditës dhe problematikën për të cilën ne do të diskutojmë. E drejta individuale e një personi për tu kthyer në një funksion për të cilin me dëshirën e vetë e ka lënë nuk ka sesi të votohet nga disa persona të tjerë. Gjithçka është në dëshirën e individit që të kthehet apo të mos kthehet në funksionin që e ka lënë./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame