Grusht shteti në Turqi, Ushtria merr nën kontroll pushtetin
Situatë kaotike në Turqi.
Ushtria thotë se kanë marrë nën kontroll vendin, teksa ushtarë janë vendosur në pika strategjike në Stamboll. Në Ankara, avionë ushtarakë patrullojnë zonën duke fluturuar në distancë të ulët.
Në një deklaratë të mediat u tha se një “këshill paqësor” tashmë drejtonte vendin dhe se kishin vendosur ligjin marcial. Momentalisht është ende e paqartë për çfarë grupi bëhet fjalë dhe mbështetja që kanë.
Disa zyrtarë ushtarakë dyshohet se po mbahen peng.
Fillimisht, në një intervistë telefonike me televizionin turk “A Haber”, Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirm tha:
“Një grup ushtarësh kanë tentuar të ndërmarrin një grusht shteti që nuk do të lejohet. Ky grusht është një tentativë kundër demokracisë dhe vullnetit të njerëzve. Kjo tentativë nuk do të lejohet dhe ata do të paguajnë çmimin më të lartë”,
Ky skenar u konfirmua edhe nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili deklaroi se një grup ushtarakësh kanë tentuar grusht shteti.
Në rrugët e Ankarasë janë parë tanke dhe mjete të rënda të Ushtrisë, ndërsa mbi kryeqytetin turk kanë fluturuar helikopterë, madje janë dëgjuar edhe të shtëna.
Po ashtu raportohet se Ura e Bosforit është e mbyllur dhe në të dyja anët e saj është parë prani e madhe ushtarake. Një grup ushtarësh mësohet se kanë bllokuar hyrjen e aeroportit Ataturk.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Reuters, Ushtria Turke ka dhënë një deklaratë për disa media në vend, ku deklaroi se ka marrë nën kontroll të gjithë vendin, për të ruajtur demokracinë, se ligji duhet të mbetet prioritet, ashtu sikurse marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
Sipas CNN, momentalisht nuk ka vërtetime për këto deklarata dhe është e paqartë se kush është e ka nën kontroll Turqinë.
Sekretari i Shtetit John Kerry, nga Moska tha se është informuar për çfarë po ndodh. “
Nuk kam detaje. Shpresoj se paqa dhe stabiliteti do të vijojnë të mbizotërojnë në Turqi”
, u shpreh ai.
Në një postim në Twitter shfaqeshin avionë ushtarakë duke fluturuar ulët mbi kryeqytetin Ankara. Ndërkohë janë raportuar edhe të shtëna me armë.
Sipas raportimeve nga Ambasada Amerikane në SHBA, avionët ushtarakë janë parë të fluturojnë nëpër Stamboll për gati një orë, gjithnjë me distancë të ulët nga toka.
Ndërkohë, Agjencia e Lajmeve Dogan raporton se një numër i madh ambulancash është në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Ankara.
Ajo që e bën situatën edhe më të paqartë është fakti se ndërsa raportohet për fluturime dhe tanke në rrugë, mediat turke janë shumë të rezervuara për të transmetuar se çfarë po ndodh aktualisht./tvklan.al